Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ka mbledhur ditën e sotme Komitetin e Emergjencave Civile. Kjo mbledhje vjen pas situatës të krijuar në disa qytete të vendit, si pasojë e motit të keq dhe rreshjeve intensive. Në këtë mbledhje, Vengu kërkoi gatishmëri të plotë të të gjitha institucioneve, koordinim të vazhdueshëm mes strukturave qendrore dhe vendore si dhe monitorim të pandërprerë të situatës.

Kjo për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe minimizimin e dëmeve. Në lidhje me këtë, situata po monitorohet në qarqet Lezhë dhe Durrës, ku janë evidentuar prani uji në disa akse rrugore. Sipas IGJEO-s, reshjet intensive pritet të vijojnë deri më 8 janar.

Strukturat e Mbrojtjes Civile në nivel qendror dhe vendor, nën koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë në gatishmëri të plotë. Qytetarët janë njoftuar të shmangin zonat me risk dhe të kërkojnë ndihmën e autoriteteve në rast nevoje.