TIRANE, 18 mars 2013– Ministria e Brendshme, bazuar në të dhënat e fundit të marra nga strukturat në rrethe njofton se ka ende shumë sipërfaqe toke nën ujë, shtëpi të izoluara dhe banorë të evakuuar. Kthimi i reshjeve duket se e bën edhe më të vështirë situatën, e cila kishte nisur të përmirësohej. Më problematike mbetet situata në Shkodër, ndërkohë që në jug, aksi rrugor Luftinjë –Buz (Tepelenë) është ndërprerë plotësisht për shkak të rrëshqitjes së dherave.

Qarku Shkodër

Në të gjithë qarkun e Shkodrësgjatë ditës së sotme vazhdojnë reshjet e shiut.

Qarkullimi i mjeteve në akset Bërdicë-Dajç dhe në aksin Shkodër–Velipojë tek Ura e Gjolulit vazhdon të jetë i vështirë.

Gjendja e tokave të përmbytura sipas, bazuar në vlerësimit e KECQ në terren, rezulton:

Sipërfaqe e përmbytur gjithsej: 2750 ha

Siperfaqe të kultivuara nën ujë: 1550 ha

Sipërfaqe në këneta e livadhe nën ujë: 1200 ha

Shtëpi të izoluara nga uji në komunën Ana e Malit 160, në komunën Dajç 15 shtëpi, prej tyre 10 të evakuara, ndërsa në komunën Bërdicë 92 shtëpi, (në total 277 shtëpi)

Niveli i ujit në Lumin Buna vazhdon te mbetet në kuotat maksimale.

Drejtoria e Policisë së Qarkut ka marrë të gjitha masat e nevojshme për monitorimin e qarkullimit të automjeteve në rrugët problematike. Ajo ka vendosur patrulla policie përgjatë 24 orëve dhe në segmetet e mbuluara nga uji janë vendosur sinjalistikë provizore për paralajmërimin e drejtuesve të mjeteve, me qëllim parandalimin e aksidenteve.

Strukturat e PMNZSH-së vazhdojnë furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve në komunën Ana e Malit. Sot ka filluar dhënia e ndihmave ushqimore për banorët e fshatit Obot të komunës Ana e Malit.

Qarku Lezhë

Në të gjithë territorin e qarkut të Lezhës aktualisht vazhdojnë reshje të pakta shiu.

Sipërfaqe të tokave me prezencë uji janë:

Në komunat Dajç, Blinisht, Balldre dhe Kallmet, 20 ha.

Në komunat Kolsh, Zejmen dhe Shënkoll 100 ha.

Në bashkinë Laç dhe komunën e Fushë Kuqes 20 ha,

Në kënetën e Kakariqit janë 600 ha, kurse në zonen e Fushë Mamurras nuk ka toka me prezencë uji.

Të gjithë hidrovorët vazhdojnë punën me kapacitet të plotë dhe nuk ka patur ndërprerje të energjisë elektrike.

Qarku Vlorë

Gjatë ditës së sotme në gjithë qarkun e Vlorës vazhdojnë reshjet e shiut.

Lumi Vjosa ka arritur kuotën e 4,6 m dhe është rikthyer plotësisht në shtratin e tij.

Të gjithë akset rrugore janë të qarkullueshme normalisht. 30 familjet e evakuara, sot do të kthehen në shtëpitë e tyre. Sipërfaqe të përmbytura në komunën Novoselë janë akoma rreth 200 ha, kryesisht në fshatin Fitore, Grykpishë dhe në Poro.

Qarku Fier

Ditën e sotme, në zona të veçanta të komunave përgjatë bregut të Vjosës, ka rreth 50 ha tokë më prezencë uji. Në qytetin e Fierit situata përgjatë bregut të lumit Gjanica është normale.

Qarku Gjirokastër

Si pasojë e rrëshqitjes masive të tokës në aksin Luftinjë –Buz (Tepelenë) është ndërprerë plotësisht qarkullimi i mjeteve.

Qarku Elbasan

Aksi rrugor Banjë – Gramsh, vazhdon të jetë i bllokuar, si rrjedhojë e prurjeve të lumit Devoll, por qarkullimi kryhet normalisht nëpërmjet rruga së sipërme që del në Llixhat e Elbasanit.