Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta në një komunikim për mediat mbi situatën e përmbytjeve në vend deklaroi se situata ishte paralajmëruar por hidrovoret nuk kanë qëne në punë për shkak të mungesës së energjisë elektrike.

Masat e qeverisë sipas tij ishin inekzistente, ndërsa sistemi satelitor 1.5 mln euro dështoi.

“Dëmet llogariten në qindra miliona euro. Kjo situatë tregon se qeveria ka qenë inekzistente, ka qenë tepër minimale pasi situata ka dalë nga kontrolli. Më e rënda është se KESH e bleu energjinë më shtrenjtë në momentin kur dihej që do të kishte reshje dhe e shet shumë më lirë në bursë në këto momente. Dështoi sistemi satelitor për të cilën u paguan 1.5 mln euro për të parashikuar me saktësi motin,” tha Meta.

“Përmbytja ishte ngjarje e paralajmëruar. Tashmë 1685 ha në bashkinë e Shkodrës të përmbytura, qindra e mijëra shtëpi të rrethuara nga uji, shumë familje të evakuuara, ndërkohë që bashkia e Shkodrës dhe autoritetet vendore nuk u paralajmëruan sipas ligjit.

Në Shkodër, hidrovoret s’kanë qenë në punë për mungesë të energjisë. Në Lezhë 1300 ha të përmbytura.

Kjo situatë kritike është dhe në fushë-Krujë, 150 Ha në Mullqinë dhe Mallkuç. Natyrisht nuk mund të ngelej jashtë përmbytjeve dhe Durrësi, me zonën e ish-Kënetës dhe qendra e betonizuar e këtij qyteti, te Veliera.

Nuk kishte se si të ndodhte ndryshe kur fondi vjetor i Bordit të Kullimit për Shkodrën, Kukësin dhe Lezhën është 80 mln euro në vit. Është aq sa vjedh vetëm për një ditë inceneratori i Tiranës, që nuk ekziston”, shtoi Meta.