Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se strukturat përgjegjëse të trashëgimisë kulturore po vijojnë monitorimin e pandërprerë në të gjithë territorin e vendit, në vijim të situatës së krijuar nga reshjet intensive të ditëve të fundit.
Sipas ministrit, në qarkun Shkodër dhe zonat përreth reshjet kanë vazhduar, ndërkohë që kanë nisur edhe shkarkimet nga kaskada e hidrocentraleve të Komanit dhe Vaut të Dejës.
Situata paraqitet më e rënduar në qytetin e Lezhës, ku dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit.
Ministri Gonxhja theksoi se në pasuritë e tjera kulturore në territor situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe pavarësisht prurjeve të shtuara të lumenjve dhe përrenjve, deri në këto momente nuk janë konstatuar përkeqësime apo dëmtime.
“Në vijim të situatës së reshjeve intensive, strukturat përgjegjëse të trashëgimisë kulturore vijojnë monitorimin e pandërprerë në territor.
Në qarkun Shkodër dhe zonat përreth, reshjet kanë vazhduar ndërkohë që kanë nisur edhe shkarkimet nga kaskada e HEC-eve Koman dhe Vau i Dejës. Situata paraqitet e përkeqësuar në qytetin e Lezhës, ku dalja e lumit Drin nga shtrati ka shkaktuar përmbytje në qendër të qytetit, duke ndikuar edhe në zonën breg-lumore pranë mureve antike të Lisit dhe Memorialit të Skënderbeut, për shkak të pamundësisë së kolektorit të qytetit për të tërhequr ujin nga niveli i lartë i lumit.
Në pasuritë e tjera kulturore në territor situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme dhe, pavarësisht prurjeve të shtuara të lumenjve dhe përrenjve, deri në këto momente nuk janë konstatuar përkeqësime.
Nga monitorimi i kryer në një pjesë të urave në juridiksionin e DRTK Vlorë, nuk janë evidentuar problematika, ndërsa po vijon vëzhgimi edhe në sektorin Sarandë, ku deri tani, sipas kontakteve në terren, nuk raportohet për situata shqetësuese. Informacion më i detajuar do të përcillet në vijim.
Monitorimi në terren vijon me prioritet mbrojtjen e pasurive kulturore dhe reagimin në kohë ndaj çdo risku të mundshëm”, shkruan ne rrjetet sociale ministri.





