Situata në zonat e përmbytura të Durrësit dhe Shijakut nga dalja nga shtrati i lumit Erzen është gati dramatike.
Familja Tabaku nga Katund Sukth ka dërguar pranë redaksisë së “DurrësLajm” një video nga shtëpia dhe stalla e përmbytur.
Niveli i ujit është rritur ndjeshëm në këtë zonë, ndërkohë që bagëtitë me të cilat familja siguron jetesën janë të zhytyra në ujë dhe pa ngrënë.
“Po ca bohet me ne kështu për zotin, jemi bo të hym dhe ne në lum e të na mari dhe ne se toka, lop e pul e zog i kemi gjith në ujë”,- është apeli i dhimbshëm që vjen nga kjo familje.
“Shifni a nuk eshte gjynaf prej zotit pa hor e ne ujtit lopt e shkreta pa llogarit serat buka jon e gjitha ne uje”,– vijon më tej kryefamiljari.
Kjo është hera e dytë që kjo familje përmbytet brenda dy javësh. Prodhimet bujqësore që kanë mbjellë në një serë rreth dy dynym janë dëmtuar plotësisht.
Sipas kryefamiljarit, Ilirit, askush nuk ka shkuar gjatë ditës së sotme për t’i parë, për t’u ardhur në ndihmë.
Herën e parë kur u përmbytën, autoritetet u kanë shënuar emrin për dëmet e pësuara, por më pas asgjë.
“Na sollen nja dy kile voj e sheqer edhe kjo ishte. Po ne sdum buk per vete dum ushqim per bagtit se i shfni si jan”,– thotë Iliri.
Më herët, “DurrësLajm” solli pamje filmike nga zonat e përmbytura, ku në shumë vende niveli i ujit arrinte deri në 2 metra.