Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, bën të ditur se godina e Njësisë Administrative Sukth është vënë në dispozicion të banorëve të evakuuar, ndërsa familjet po strehohen përkohësisht në ambiente të sigurta dhe më pas në hotele, deri në normalizimin e situatës.

Në postimin e saj në rrjtet sociale Sako thotë se të gjitha strukturat vijojnë të jenë në terren në gatishmëri të plotë.

Postimi i plotë:

Jemi pranë qytetarëve dhe në mbështetje të plotë të tyre. Godina e Njësisë Administrative Sukth është vënë tërësisht në dispozicion të banorëve të prekur dhe të evakuuar nga zona e përmbytur, duke ju ofruar ndihmën e nevojshme.

Familjet e evakuuara po akomodohen përkohësisht në ambiente të sigurta dhe më pas në hotele, deri në normalizimin e plotë të situatës.

Të gjitha strukturat janë në terren në gatishmëri të plotë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në çdo moment.