Gjermania, Holanda dhe Belgjika prej disa ditësh po përballen me reshje të shumta shiu duke shkaktuar përmbytje. Situata më e rëndë paraqitet në perëndim të Gjermanisë, ku numri i viktimave është mbi 100.

Marrë shkas nga kjo situatë, Instituti i Gjeoshkencave Energjisë Ujit dhe Mjedisit në Shqipëri njofton se gjatë 5 ditëve të ardhshme në Shqipëri parashikohet një mot me reshje lokale që mund të jenë me vërshime uji të shkurtra dhe shkarkesa elektrike kryesisht në zonat malore.

Sipas IGJEUM, situata që pritet në vendin tonë është normale për tipin e reshjeve me shtrëngata në stinën e nxehtë dhe nuk ka ngjashmëri me situatën katastrofike e cila kaloi në vendet e Europës.

Po ashtu, njoftohet se janë aktivizuar në gjendjen e gatishmërisë të gjitha strukturat dhe kapacitetet e emergjencave civile, në nivel qendror dhe vendor për zbatimin e planeve në rastet e përmbytjeve.