Zona e ish-Kënetës në Durrës vijon të mbetet nën pushtetin e ujit. Pas pushimit të reshjeve dhe përmirësimit të kushteve atmosferike 200 shtëpi vijojnë të regjistrojnë prezencë të lartë uji në oborre dhe katet e para të godinave.

Në shumë shtëpi niveli i ujit arrin deri në 25 centimetra, ndërsa shumë nga orenditë shtëpiake u janë dëmtuar.

Banorët e kësaj zone, e cila është më e dëmtuara nga përmbytjet e një dite më parë, apelojnë për ndihmë nga institucionet vendore, për t’u larguar ujin nga shtëpitë e tyre.

Ata fajësojnë mosfunksionimin e kanaleve të ujërave të larta si shkaktarë të përmbytjes, që është më e madhja e viteve të fundit në këtë zonë.

Në Durrës uji ka hyrë në rreth 300 banesa në total, nga të cilat 200 shtëpi janë ne zonën e Durrësit të Ri, 60 në zonën e Shkozetit dhe Plazhit, 4 banesa në njësinë administrative 4, 1 shtëpi në njësinë 1, 20 banesa në Sukth, 10 në Katund të Ri dhe 5 shtëpi në Rrashbull.

M.B.