Prej dy ditësh, situata e krijuar prej reshjeve të dendura të shiut në vendin tonë është mjaft e rëndë.

Thuajse të gjitha qarqet e vendit kanë zona të dëmtuara prej përmbytjeve, por sidomos dëmet më të shumta kanë qenë të përqendruara në pjesën qëndrore dhe jugore të vendit.

Pasditen dhe mbrëmjen e së enjtes, autostrada Tiranë-Durrës u bllokua totalisht prej ujit që arriti në pak kohë nivelin mbi 1 metër.

Vetëm mesditën e djeshme, ajo u rikthye funksionale, ndërkohë që pas normalizimit disi të situatës, bizneset e dëmtuara kanë nisur të bëjnë përllogaritjen e dëmeve të shkaktuara.

Një video e mbërritur në redaksinë e DurrësLajm sjell pamjet e shkatërrimeve dhe dëmeve të shkaktuara tek bizneset që kanë njësitë e tyre tregtare në katin e parë të City Park, një nga zonat e përmbytura më rëndë mbrëmjen e së enjtes.

Me tërheqjen e ujit kanë dalë në pah dëmet reale të shkaktuara. Thuajse i gjithë malli është dëmtuar nga uji duke u bërë i papërdorshëm.