Serbi, 16 maj 2014 – Qeveria e Serbisë ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në gjithë territorin e vendit për shkak të përmbytjeve dhe shirave të furishëm.
Autoritetet, në të njëjtën kohë, kanë kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian, Rusia dhe Sllovenia. Siç është konfirmuar zyrtarisht, përmbytjet kanë marrë 5 jetë njerëzish, ndërsa kanë detyruar evakuimin e mijëra të tjerëve.
Situata më e rëndë paraqitet në pjesën perëndimore të Serbisë. Kryeministri Aleksandar Vuçic ka thënë se një situatë e tillë nuk është regjistruar kurrë në Serbi.
Përmbytjet e mëdha u shkaktuan pas 2 ditë reshjesh të furishme.
Ndërkohë edhe në Bosnje-Hercegovinë situatë është mjaft e rënduar. Në kryeqytetin e vendit, Sarajevë, 3500 shtëpi kanë mbetur pa energji elektrike, ndërkohë që shumë banorë janë evakuuar.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





