Reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta, kanë krijuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke ndikuar në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve, kryesisht në zonat malore dhe pranë lumenjve.

Në njoftimin e bërë nga Ministria e Mbrojtjes thuhet se në qarku Gjirokastër paraqet situatën më problematike. Në bashkinë Gjirokastër ka prezencë dëbore në njësinë administrative Picar, ndërsa lumi Drino i është afruar trupit të rrugës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për forcimin e argjinaturës. Në disa fshatra si Odrie, Lunxhëri dhe Zagori, po punohet për lirimin e akseve të bllokuara dhe të një ure të vogël në aksin Krinë–Tranoshisht–Saraqinishtë. Në bashkinë Dropull, ura e Glinës mbetet problematike, ndërsa po punohet për lirimin e akseve Pogon–Dropull dhe Zagori–Libohovë.

Në qarkun Lezhë, reshjet e dëborës kanë prekur edhe zonat e ulëta, përfshirë qytetin e Lezhës, ku riparimi i argjinaturës së dëmtuar në lumin Drojë është përfunduar. Qarku Vlorë shfaq përmirësim të rënies së prurjeve në lumin Vjosë, ndërsa nënkalimi në fshatin Bishan mbetet i bllokuar, por pa dëmtime banesash, vetëm ujë në oborre.

Në Elbasan dhe Peqin, dëbora dhe ngricat kanë bllokuar disa akse rurale, ndërsa në Dibër, forcat e emergjencës civile po punojnë për lirimin e akseve me prezencë akulli dhe rrëshqitje dherash. Ekipet e OSHEE po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike në njësitë administrative Bulqizë, Klos, Dibër dhe Lurë.

Ministria e Mbrojtjes bën me dije se Forcat e Armatosura, Mbrojtja Civile, policia dhe shërbimet bashkiake janë të angazhuara në terren për përballimin e situatës dhe rikthimin e normalitetit. Banorëve të zonave të prekura u bëhet thirrje të shmangin lëvizjet e panevojshme, të respektojnë udhëzimet e autoriteteve dhe të raportojnë çdo emergjencë.