Banorë të Durrësit janë mbledhur në protestë pas situatës së rëndë të krijuar nga përmbytjet masive që kanë goditur qytetin. Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë paralizim pothuajse të plotë të zonave urbane dhe periferike, ndërsa qytetarët shprehen të revoltuar pasi banesat e tyre janë përfshirë nga uji dhe shumë biznese po përballen me dëme të konsiderueshme.

Ndërkohë, pas mbledhjes së Komitetit të Mbrojtjes Civile, ministrja e Brendshme Albana Koçiu dhe kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, dolën në një deklaratë për mediat, ku bënë me dije se situata po monitorohet nga afër. Sipas tyre, nga njësitë administrative Sukth dhe Katund i Ri janë evakuuar deri më tani 90 banorë, të cilët janë strehuar në struktura hoteliere të qytetit.