Partia Demokratike ka bërë përgjegjës kryeministrin Edi Rama për situatën e krijuar nga përmbytjet në vend. Deputeti democrat Luçiano Boçi, në një deklaratë për mediat, ka theksuar se “pas çdo toke të përmbytur, pas çdo prodhimi të çuar dëm, pas çdo shtëpie e pasurie të mbuluar nga uji qëndron papërgjegjshmëria dhe politika korruptive e Edi Ramës.”
Sipas opozitës, keqmenaxhimi i fondeve publike ka sjellë edhe gjendjen e krijuar. “Me dorën e tij, Edi Rama ka hequr çdo vit miliona dollarë fonde të destinuara për kanalizimet, për t’i dërguar si pako dhurata për miqtë e klientët e tij, për luksin e tij dhe shpenzimet qeveritare, – tha Boçi. – Asnjë punim në kanalizime nuk është bërë, edhe pse përvoja e afërt tregon se shirat sjellin përmbytje… Fondet për këto punime të domosdoshme në infrastrukturë janë dërguar nga Edi Rama në drejtim të interesave të tij klienteliste.”
Deputeti democrat ka sqaruar se “në shtator të vitit 2014, pikërisht para sezonit të reshjeve, Edi Rama hoqi 4,9 milionë dollarë për kanalizimet… Në fund të vitit që kaloi, zhduku sërish 4,2 milionë dollarë që ishin të destinuara për kanalizimet.”
Sipas Partisë Demokratike, “kjo arrogancë e kjo pacipësi, kjo shpërfillje e poshtërim i shqiptarëve nuk thahet dot dhe nuk mbulohet dot, ajo meriton e do të marrë përgjigjen e merituar nga qytetarët.”