DURRËS, 28 gusht 2013 – Duke marrë shkas nga situata e 27 gushtit 2013 kur u përmbyt qyteti i Durrësit, kryetari i degës së Partisë Demokratike, deputeti Igli Cara i ka drejtuar një thirrje kryeministrit të zgjedhur Edi Rama: “Përmbytja e qytetit ka shkak kryesor ndërtimet pa leje dhe me leje mbi kolektor. I bëj ftesë publike Ramës që para se të bëjë konferenca për Shqipërinë e gjeneratës së re, të detyrojë Dakon të prishë ndërtimet mbi kolektor dhe të ndalojë masakrën urbane mbi Durrësin”. Por për Prefektin e qarkut, Genc Juka, “shkak për përmbytjet është bërë mos-funksionimi i hidrovorit të Porto Romanos, i cili bën edhe shkarkimet në det. Ky hidrovor nuk punonte, si pasojë e ndërprerjes së energjisë në të. Në një nga shtyllat elektrike të hidrovorit ka shkarkuar një rrufe, duke sjellë më pas ndërprerjen e energjisë”.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/