Shirat e dendur goditën bregun lindor të Australisë duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë.

Në qytetin verior të Uellsit të Ri Jugor , Lismore, ndër më të prekurit nga përmbytjet rekord në fillim të Marsit, nivelet e ujit tejkaluan lartësinë prej 10.65 metrash. Lismore, shtëpia e gati 30,000 njerëzve, përmbytet për herë të dytë brenda këtij muaji.

Më shumë se 4600 persona nga ekipet e kërkim shpëtimit janë vendosur në dispozicion për të evakuuar njerëzit. Një burrë rreth të 40-tave u gjet i vdekur në pjesën jugore të Queensland pasi kishte mbetur i bllokuar në makinë.

Mijëra persona janë larguar pasi shtëpitë e tyre u përmbytën nga rrjedha e fuqishme e ujit. Rreshjet e shiut përfshinë gjithashtu edhe qytetin bregdetar Bajron Bay duke shkaktuar dëme të mëdha në dyqane dhe prona. Rreth 300 milimetra shi janë regjistruar në rrethin e Bayron Bay në 24 orët e fundit.

Gjatë këtij muaji, Australia është prekur nga fenomeni La Nina i cili shoqërohet me rreshje të mëdha shiu, lagështi dhe stuhi. Sydney ka regjistruar tashmë 537 mm shi deri më tani këtë muaj që sipas meterologëve është një sasi rekord përgjatë këtij muaji.