TIRANE, 16 mars 2013 – Krahasuar me një ditë më parë situata nga përmbytjet në vend këtë të shtunë duket pak më e qetë, ndërsa uji ka filluar tërheqjen nga shumë prej sipërfaqeve të tokës, që nj ditë më parë ishin nën pushtetin e tij.
Në Shkodër ndërprerja e shirave dhe rënia e intensitetit të shkarkimeve nga HEC-et mbi kaskadën e Drinit kanë bërë që uji të tërhiqet, por në hartën e përmbytjeve mbeten komuna Ana e Malit, Bërdicë dhe Dajçi i bregut të Bunës. Vazhdojnë të mbeten nën ujë mbi 2000 ha tokë. Ndërkohë që në lagjet periferike banorët e evakuar janë rikthyer në banesat e tyre për t’iu rikthyer jetës së përditshme. Rruga për në Obot vijon të jetë e pakalueshme si pasojë e prezencës së ujit.
Edhe në Vlorë situata nga përmbytjet paraqitet disi më e qetë. Lumi Vjosë ka vijuar tërheqjen gjatë natës, ndërkohë që të përmbytura vijojnë të mbeten disa banesa.
Shtabi i Emergjencave në Vlorë bëri të ditur se problem mbetet mungesa e energjisë elektrike në disa fshatra të komunës Novoselë, si pasojë e rrëzimit të shtyllave, ndërkohë që brigadat e riparimit të CEZ vijojnë punën për normalizimin e situatës.
I përmbytur vijon të mbetet aksi i vjetër nacional Vlorë-Fier, ku në zonën e Novoselës qarkullimi është i mundur vetëm me mjete të larta.
Ndërkohë, që gjatë orëve të të mbrëmjes lumi i Vjosës ka ulur intesitetin e prurjeve, duke përmirësuar situatën në komunën e Novoselës, lumi i Semanit ka dalë nga shtrati dhe si pasojë janë përmbytur zonat që ndodhen nën nivelin e lumit.
Drejt normalizimit, situata edhe në Fier, ndërkohë që 200 hektar tokë raportohen të përmbytura në komunat Kuc, Hekal, Frakull e Levan.
/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/





