DURRES – Pas nisjes së hetimeve nga ana e prokurorisë në rrethet e Durrësit dhe Fierit, rrethe këto që janë prekur më shumë nga përmbytjet ditët e fundit, ka ardhur reagimi i organeve të pushtetit vendor në Durrës. Prefekti i qarkut, Genci Alizoti është shprehur se e mbështet organin e akuzës në hetimin që do të kryejë, pasi situata nga përmbytjet ka kohë që përsëritet dhe duhet të nxirret përgjegjësia për secilin institucion si dhe banorët që kanë ndërtuar mbi kolektorë.
"Prokuroria na ka dërguar një shkresë dhe ne do të ngremë një grup pune për t’i dhënë përgjigje kërkesave të saj. Ne e kemi mbikqyrur nga afër situatën në zonat e përmbytura dhe do t’i japim prokurorisë të gjitha informacionet për të cilat ka nevojë. Të gjithë institucionet do të hetohen, njësitë vendore, ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve, CEZ-i nëse i ka furnizuar me energji hidrovoret, por edhe individët që kanë ndërtuar pa leje mbi kolektorë, dhe ata që nuk kanë respektuar rregullat për ndërtimet e kryera”,- deklaroi prefekti Alizoti.
Ndërkohë kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u shpreh për Durrëslajm.com se institucioni që ai drejton është i hapur për hetimin e Prokurorisë, por nga ana tjetër kryebashkiaku mohoi përgjegjësinë e bashkisë për situatën e krijuar në lagje të ndryshme të Durrësit përsa i përket përmbytjeve. Dako tha se janë ndërmarrje si Bordi i Kullimit apo Ujësjellës-Kanalizime ato që mbajnë përgjegjësinë kryesore për situatën e krijuar.
Organi i prokurorisë vendosi të nisi kryesisht hetimet, bazuar në denoncimet e qytetarëve të shumtë nga këto zona, të mbërritura në Prokurorinë së Përgjithshme, përfshirë edhe në adresën elektronike [email protected]. Prokuroria dyshon se autoritetet lokale nuk kanë përmbushur detyrën e tyre për marrjen e masave për përballimin e situatave metereologjike.
Hetimet për të vërtetuar dyshimet mbi rastet e “Shpërdorimit të detyrës” po zhvillohen në disa institucione, në Shtabin e Emergjencave Civile pranë Prefekturave të Qarqeve, po ashtu edhe në Bashki, Komuna dhe agjenci të tjera që kanë për detyrë mirëmbajtjen e sistemeve kulluese dhe që kanë përgjegjësi për menaxhimin e situatave të tilla atmosferike. Po ashtu, objekt hetimi janë edhe vendimmarrjet për punime, të cilat kanë dëmtuar apo bllokuar kolektorë e kanale kulluese në këto zona.
Për llogari të hetimit do të shfrytëzohen edhe informacionet e institucioneve përgjegjëse lokale për masat e marra, për personat përgjegjës dhe për zbatimin e rregullave teknike dhe ligjore në rast e situatave të vështira atmosferike.





