Avokati i Popullit Igli Totozani ishte sot në disa nga urat e shkatërruara në Bashkinë e Elbasanit dhe Bashkinë e Peqinit. Së bashku me një grup ekspertësh, Totozani u ndal në urën e Broshkës, urën e Grykshit, të Çengelaj, urën e vjetër të Peqinit, si edhe në atë të renë, duke monitoruar nga afër situatën e krijuar për banorët e izoluar në këto zona. Avokati i Popullit e konsideroi të papranueshëm izolimin total të mijëra familjeve nga shkatërrimi i urave, që janë ndërtuar vetëm prej pak vitesh.
“Sa herë që prishen ura apo rrugë, mban era korrupsion,” – tha Avokati i Popullit, duke ftuar Prokurorinë të hetojë çdo rast të tillë, ku merren në dorëzim objekte jashtë standarteve dhe kushteve teknike.





