ARTUR ZHEJI



  Një telefonatë falënderuese e Kastriot Bejzatit më zgjoi nga përhumbja gushtore, e përmbytur nga thashetheme dhe konfliktualitete të vaposura të fund-gushtit. Bejzati është një qytetar i mirë dhe i thjeshtë, shqiptar 24 karat nga Përmeti. Nga të vetmit që doli, me fytyrë, zë dhe argumente në emisionin tim “360 Gradë” disa muaj më parë, për të rrëfyer dramën e madhe të qytetit të tij të vogël. Fabula ishte e thjeshtë: Nga brenda godinës së Pallatit të Kulturës së Përmetit, me forcën e parasë dhe forcën e “vorio-epirotizmit”, po nënvendosej dhe kish hedhur shtat e beton të mirë një kishë ortodokse. Kronika thotë se dikur, në një pjesë të vogël të truallit të Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, ajo kish qenë aty. Kisha pra. Dhe dhunshëm kisha u shkretua. Veprim i ndyrë, në vargun e ndyrë të ateizmit shtetëror pa dyshim. Më pas, në këtë periudhë të gjatë të qeverive që ndërrohen dhe të shtetit që bie vazhdimisht, nga ato pak metra katrorë që i përkisnin me “tapi e senet” Kishës, padrejtësisht çthemeluar, mallkim të cilin ndoshta ende e paguajmë, mbiu një kërpudhë e re. Një kishë e re. Që filloi të ngrihej në mënyrë abuzive. Jo me paratë e besimtarëve, por me paratë e Kishës Jo Autoqefale të Shqipërisë. Dhe një prift lokal që vinte aty rrotull, një prift jo prift, një ish-polic i para viteve ’90, thonë nën zë përmetarët, me pak apo aspak shkollë, vuri nën thundër të gjithë qytetin që mburret me Frashërllinjtë, etër të Rilindjes Shqiptare të shekullit XIX.

Thundra e tij, thonë nën zë përmetarët, shoqërohej me ca lista me emra, emra e mbiemra, që çoheshin diku në Tiranë dhe diku përtej kufirit.

Kush e kish emrin në atë listë, thuhej, ish shprehur kundër prishjes së Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri” dhe si pasojë të drejtpërdrejtë kish kërcënimin se familjarët e tyre përtej kufirit do të gjendeshin pa dokumente qëndrimi dhe do të ktheheshin menjëherë në papunësinë e tmerrshme dhe vrastare të Përmetit.

Bejzati më falënderonte dhe uronte njëherësh se beteja legale e fituar, më së fundi u zbatua dhe debati që hapëm diçka bëri.

Naim Frashëri iu kthye qytetit, sepse në të vërtetë qyteti, bëri si bëri, e mposhti frikën e listave të ish-policit.

Sepse Pallati i Kulturës është sot, falë braktisjes dhe kishës pa leje, vetëm në një rrënojë me një kishë pa kishë që ka ngritur tashmë fole si urith në brendësi, duke rrëzuar dhe ngrënë çdo gjë së brendshmi. Tani që Përmeti ka sërish Naim Frashërin duhet të rindërtojë shtëpinë e vet të kulturës, se krim do të ish që të mbillej aty një restorant apo një kafe e tymosur allishverishesh.

Sepse kësisoj përsëri Frashërllinjtë do të ishin njësoj të përzënë nga qyteti që identifikohet me ta.

Përmetarët dëshmuan një rezistencë fisnike përtej shtetit dhe përtej presioneve aspak të vogla që cenonin jetën e varfër, por krenare, të shumë familjeve të atyshme, emrat e të cilëve gjinden ende në listat e ish-policit të priftëruar, priftëruar pra, si në një mrekulli biblike.

Me gjithë britmat e Agimit të Artë në Himarë, të cilat morën shumë hapësirë mediatike në këtë periudhë pritshmërie politike, lajmi i mirë që erdhi nga Përmeti duket se zuri pako vend, ashtu si çdo “lajm i mirë”. Vetëm Vangjel Dulja e prishi kreshmën me apel për mosprishjen e kishës pa kishë brenda. Dhe mirë bëri në optikë të tij si tribun i paepur i pakicave që është në politikë.

Se Vangjel Dulen vërtet mezi e kemi, Kisha na e ruajttë! Ai na lajmëron gjithmonë kur gabojmë në çështje të të drejtave të të tjerëve. Sikur të na lajmëronte ndonjëherë më shumë kur shkelen edhe të drejtat tona, më mirë do të ish. Por kjo është e drejtë e pashkelshme e Vangjelit, që do ta mbrojmë gjithmonë.

Po Naim Frashërin dhe Abdyl Frashërin kush do të na e mbrojë dhe do të na e ruajë, kjo është çështja.

Apo kjo e Naimit dhe Abdylit, ndoshta është një jo-çështje tani që në “Rilindje” të Dytë jemi?! Mirë do të ish që ashtu të ish, kush mund të urojë ndryshe?!

Sigurisht, ky është një shkrim që nga një kredhje në tjetrën ndonjë shqiptar edhe mund ta lexojë. E çfarë është sot Përmeti? Një pako vend dhe një pako qytet me ca qytetarë trima dhe mendjehollë.

Por aty sot fitoi shteti. Shteti shqiptar si për çudi, betejëhumburi i madh, në shumë raste të tilla. Sidomos në rastet e kishave ortodokse joshqiptare ngritur në mes të shqiptarëve, kisha pa kisha brenda, në rastet e manastireve pa murgj, në rastet e varreve pa varre, mbjellë me shumicë lart e poshtë në “Vorio-Epir”.

Por sot pritet me ankth qeverisja e re, dhe ky është pa dyshim një ankth i shëndetshëm popullor. Kryeministri i zgjedhur po gatit fjalën e vet të veçantë që do të ngrejë siparin e protagonizmit të tij kryeministror. Pjesë e normalitetit dhe e radhës së gjërave edhe kjo.

Ndonëse e di mirë që është një pretendim i tepruar, pak Përmet dhe pak Naim Frashër më shumë, do t’ua kërkoja kolegëve këto ditë. Duke lënë pak mënjanë sharjet e bollshme të kolegëve për kolegët. Risi e këtyre ditëve me tema të varfra. Të paktën pra. Pak Përmet të fisëm më shumë, tash që s’ka filluar ende përplasja e radhës politike, e cila me sa duket dhe me ç’po mbillet ditë pas dite, nuk do të jetë aspak e qetë.

Sepse sot, lajm i mirë ky, sot pra në Përmet ka pak më shumë shtet. Shtet shqiptar e kisha fjalën, se shtete të tjera brenda vetes i kemi disa, por kjo dihet dhe nuk përbën lajm…

/panorama/