PERMET,16 gusht 2013  – Përplasje mes zyrës së Përmbarimit dhe komunitetit Ortodoks në Përmet. Në bazë të një vendimi të gjykatës zyra e Përmbarimit ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës Kushtetuese, si dhe ka dorëzuar pranë Bashkisë së Përmetit Pallatin e Kulturës, të zaptuar 16 vite më parë nga Kisha Orthodokse. 

Por përmbaruesit kanë hasur në rezistencën e priftërinjve ortodoksë, si dhe besimtarëve që ndodheshin në kishë. 
Përmbaruesit të mbështetur dhe nga policia private kanë ndërhyrë me forcë, duke larguar nga Pallati i Kulturës, ikona të Kishës, këmbana, si dhe materiale të tjera. Përmbaruesit kanë hequr kryqin nga godina e Pallatit të Kulturës dhe kanë vendosur atje flamurin shqiptar.
Kryetari i zyrës Përmbarimore, Fatos Alimadhi, deklaroi se përfaqësuesit e kishës kanë përdorur forcën dhe presione për të bllokuar punën. 
"Përmbarimi thjesht ka ekzekutuar një vendim të formës së prerë të Gjykatës Kushtetuese, veprim që duhet të ishte zbatuar 10 vite më parë",- tha Alimadhi. 
Përfaqësuesit e Kishës ortodokse në Përmet pretendojnë pronësinë e truallit, ndërkohë që të gjitha shkallët e gjyqësorit kanë rrëzuar pretendimet e saj. Ambientet në Pallatin e Kulturës tashmë do t’i kalojnë Bashkisë së Përmetit.
Godina dykatëshe, dikur krenaria e përmetarëve, ka heshtur së funksionuari në vitin 1997. Prej 16 vitesh objekti në fjalë është bërë "mollë sherri" midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Orthodokse.Të dyja palët kanë pretenduar pronësinë, por askush nuk i ka dalë zot. 
Pallati i Kulturës u ndërtua 51 vjet më parë, në vitin 1962. Pas Luftës së Dytë Botërore, në truallin ky është ngritur Pallati i Kulturës dhe lulishtja e qytetit, jetonin në baraka 30 familje. Në vitin 1958 u shpërngulën, pasi sistemi komunist hartoi një plan rregullues. 
Në nëntor të vitit 1962 u inaugurua lulishtja e qytetit sëbashku me Pallatin e Kulturës. Gjykata Kushtetuese në vitin 2002 ka vendosur në favor të pushtetit vendor, por prej 11 vitesh ky objekt u mbajt forcërisht nga Kisha Ortodokse. Pallati i Kulturës funksionoi si objekt fetar prej 26 majit 1997, falë një vendimi të Komisionit të Pronave të rrethit të Përmetit. Pallati i Kulturës, me sipërfaqe rreth 6000 metra katror, figuron me nr. pasurie 16/9, ndërsa Zyra e Përmbarimit ka tentuar 15 herë të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por fatkeqësisht janë penguar nga përfaqësuesit e Kishës. 

/balkanweb/