PËRMET, 19 gusht 2013- Një grup besimtarësh ortodoksë mësohet se kanë hyrë sot forcërisht në Pallatin e Kulturës së Përmetit, i kthyer në një objekt sherri tashmë mes komunitetit Ortodoks në Përmet dhe Bashkisë së qytetit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për t’ja kthyer këtë godinë Bashkisë së Përmetit. 

Nga Përmeti, raportohet se 40 besimtarë kanë hyrë forcërisht në këtë objekt duke sulmuar rojet private që ruanin godinën. Ata kanë thyer dyer e dritare dhe kanë hyrë forcërisht në godinë, ndërsa mësohet se nga sulmi ka edhe roje të plagosur. 
Sipas gazetarit Artan Hoxha, sulmi ka ndodhur rreth orës 11;00 të së hënës, ku persona me veshje fetare por edhe civilë, të organizuar nga Mitropolia e Gjirokastrës kanë hyrë me forcë në Pallatin e Kulturës, duke sulmuar me sende të forta rojet private. Këta persona mësohet të kenë mbërritur në Përmet me dy autobusë. 
Raportohet se tashmë ata ndodhen brenda ambienteve të Pallatit të Kulturës dhe po zhvillojnë një meshë.
Godina dykatëshe, dikur krenaria e përmetarëve, ka heshtur së funksionuari në vitin 1997. Prej 16 vitesh objekti në fjalë është bërë "mollë sherri" midis Bashkisë së Përmetit dhe Kishës Orthodokse.Të dyja palët kanë pretenduar pronësinë, por Gjykata ka vendosur që kjo godinë t’I rikthehet bashkisë. 
Pallati i Kulturës u ndërtua 51 vjet më parë, në vitin 1962. Pas Luftës së Dytë Botërore, në truallin ky është ngritur Pallati i Kulturës dhe lulishtja e qytetit, jetonin në baraka 30 familje. Në vitin 1958 u shpërngulën, pasi sistemi komunist hartoi një plan rregullues. 
Në nëntor të vitit 1962 u inaugurua lulishtja e qytetit sëbashku me Pallatin e Kulturës. Gjykata Kushtetuese në vitin 2002 ka vendosur në favor të pushtetit vendor, por prej 11 vitesh ky objekt u mbajt forcërisht nga Kisha Ortodokse. Pallati i Kulturës funksionoi si objekt fetar prej 26 majit 1997, falë një vendimi të Komisionit të Pronave të rrethit të Përmetit. Pallati i Kulturës, me sipërfaqe rreth 6000 metra katror, figuron me nr. pasurie 16/9, ndërsa Zyra e Përmbarimit ka tentuar 15 herë të ekzekutojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por fatkeqësisht janë penguar nga përfaqësuesit e Kishës. 
Pak ditë më parë përmbaruesit të mbështetur dhe nga policia private kanë ndërhyrë me forcë,duke larguar nga Pallati i Kulturës, ikona të Kishës, këmbana, si dhe materiale të tjera. Përmbaruesit kanë hequr kryqin nga godina e Pallatit të Kulturës dhe kanë vendosur atje flamurin shqiptar, duke zbatuar kështu vendimin e gjykatës. Për largimin e objekteve të kishës dhe priftërishve nga kjo godinë ka pasur edhe reagime të Athinës zyrtare.

/BalkanWeb/