TIRANË, 10 tetor 2013 – Fiks fare: ora 12 e mesit të natës në fshatrat përmetare të buzës së Vjosës ka pasur lëkundje toke. Rrjeti sizmologjik shqiptar ka regjistruar një tërmet të lehtë në orën 22:00:2 të datës 9 tetor 2013 (GMT) ose ora 24:00:2 të datës 10 tetor 2013 (koha stinore e Shqipërisë +2). Dukuria tektonike ka pasur një forcë M=2.6 e epiqendër në thellësinë 6 km; ka ndodhur në fshatin Petran, 7 km në vijë ajrore në jug të qytetit të Përmetit, në koordinatat 40.19° V, 20.43° L (shih etiketën e hartës nr. 1 pika e kuqe). Ngjarja sizmike është vërejtur në një zonë të gjelbëruar, përballë lumit të Vjosës në lartësi të ulëta 250-300 metra mbi nivelin e detit (shih hartën nr. 2 shigjeta e gjelbër). Lëkundjet tokës janë lokalizuar mu në mes të trekëndëshit të fshatrave Gjinakar, Petran e Kaludh të komunës së Petranit në rrethin e Përmetit (shih hartën nr. 3 pika e kuqe). Nuk ka njoftime zyrtare për viktima dhe dëme materiale.

Info

Komuna Petran ka në përbërje fshatrat Petran, Leusë, Lipë, Delvinë, Qilarishtë, Leshnicë, Badilonjë, Gjinakar, Lupckë, Benjë-Novoselë, Bodar, Tremish, Kaludh, Ogdunan, Trebozishtë-Lipivan.

 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/