Siç e kishin paralajmeruar një ditë më parë, mjekët që po ndjekin gjendjen e Fatos Nanos kanë ndryshuar strategji. E kanë hequr nga intubimi dhe kane vendosur ta furnizojne me oksigjen përmes një tubi që lidhet direkt me trakenë, procedurë që njihet me emrin Trakeostomi. Mjekët kanë bërë një ndërhyrje duke hapur rrugën e sipërme respiratore, e cila po jep rezultate. Nëpërmjet këtij tubi të vendosur në qafë, lejohet kalimi i ajrit dhe oksigjenit drejt mushkërisë nëpërmjet aparatit respirator.
Kjo është një procedurë e nevojshme tek pacientët që kërkojnë ventilim të zgjatur artificial. Sipas mjekëve, ai është i vetëdijshëm, por nuk mundet të artikulojë.
Fatos Nano u shtrua ne spitalin privat më 24 gusht. Mbrëmjen e së mërkurës ish-kryeministri u fut sërish në intubim, por kjo procedurë nuk solli përmirësim të gjendjes. Ndaj mjekët vendosën kështu që të aplikonin Trakeostominë.
Fatos Nano vuan nga insuficenca respiratore, pamjaftueshmëri e mushkërisë për të funksionuar normalisht. Ish-kryeministrit i është kthyer problem kronik respirator që në gjuhën mjekësore, njihet me SPOK që nënkupton pamundësi të mushkërisë për të kryer funksionin e saj.