Pas disa problemeve gjatë dy ditëve të fundit që ngadalësoi procedurat e dorëzimit online në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), pasditen e të martës, sistemi funksionon normalisht.

Burime zyrtare nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), thanë se pas ngarkesës së krijuar ditët e fundit nga numri i lartë i aplikimeve u punua për ndërrimin e infrastrukturës me qëllim përmirësimin e sistemit. Ky proces ka mbaruar dhe tashmë bilancet mund të hidhen normalisht, raporton “Monitor”.

Më herët, Pranvera Fagu, tha për Monitor se deri të enjten e javës së kaluar sistemi ka funksionuar fare normalisht dhe pothuajse nuk ka pasur ankesa. Nga e premtja deri të martën ka ndryshuar tërësisht situata, për shkak të flukseve të mëdha të aplikimit. Të gjithë tentojnë të aplikojnë në të njëjtën kohë dhe kjo solli një ngarkesë të sistemit.

Deri në fund të javës së kaluar ishte bërë aplikimi për 12.6 mijë bilance, sipas burimeve nga QKB, ose rreth 60% e totalit që kanë detyrimin për ta dorëzuar në QKB.

Ajo shton se normalisht, ndonëse afati është deri më 31 korrik dhe bizneset kanë kohë shumë muaj që të bëjnë procedurën, pjesa më e madhe tentojnë midis 25-31 korrik, duke ngarkuar sistemin.

Fagu thotë se deri tani nuk ka ndonjë plan për ta shtyrë sërish dorëzimin e bilancit edhe këtë vit, për më tepër që për shkak të ditës së  pushimit zyrtar më 31 korrik, afati shtyhet deri në orën 24.00 të datës 3 gusht.

AKSHI dhe QKB u kujtojnë bizneseve që të mos e lënë dorëzimin për ditën e fundit, sepse kjo krijon ngarkesë në sistem dhe mund të sjellë probleme.

Vitin e kaluar dorëzimi i bilanceve u shoqërua me shumë probleme, për shkak se sistemi nuk funksionoi normalisht, pasi ndryshoi formati i raportimit të bilanceve dhe në dy javët e fundit ishte e pamundur të bëje aplikimin. Si rrjedhojë, afati u shty deri më 30 shtator 2019, për të gjitha bizneset që kishin marrë një numër aplikimi deri më 31 korrik.