Lidhja jashtëmartesore përfundon në gjykatë, dy gratë sherr për një burrë.

17 nëntor 2013- Historia e dashurisë me një burrë të martuar e ka dërguar një 28-vjeçare si të pandehur në Gjykatën e Tiranës, e cila është dënuar me gjobë nga togat e zeza. E akuzuara me iniciale M.H. është vënë nën akuzë për shqetësimet që i ka sjellë përmes telefonatave dhe mesazheve fyese e kërcënuese bashkëshortes së burrit me të cilin kishte lidhje jashtëmartesore. 
Fillimisht, 28-vjeçarja vetëm e ka telefonuar gruan e ligjshme të partnerit të saj dhe për disa kohë i fliste duke u mjaftuar me kryerjen e thirrjeve anonime. 

Më tej i ka shkruar mesazhe fyese dhe kërcënuese. Më vonë, e pandehura ka guxuar ta telefonojë bashkëshorten e mikut të saj dhe t’i kërkojë asaj të ndahej nga i shoqi, me arsyetimin se ata kishin një lidhje dhe se do të jetonin bashkë. Gjatë kësaj kohë, e pandehura është identifikuar nga e dëmtuara, e cila ka gjetur mesazhet e saj të dashurisë në telefonin e bashkëshortit. Fillimisht, M.H. i është shfajësuar duke i thënë se kishte gabuar numër. Dy javë më pas ato kanë lënë vend takimi në një nga lokalet e Tiranës ku do të “sqaroheshin”. Takimi ka precipituar në sherr dhe me ndërhyrjen e policisë ato janë shoqëruar në një prej komisariateve të kryeqytetit. Pas shoqërimit, e dëmtuara B. V. ka kallëzuar të pandehurën për SMS-të kërcënuese që kishte marrë. 

Sipas gjykatës, edhe pas kallëzimit, e pandehura ka vijuar t’i dërgonte SMS kërcënuese dhe fyese të dëmtuarës. Pak ditë më parë, 28- vjeçarja u deklarua e fajshëm nga gjykata për akuzën e “përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”. Ajo u dënua me 60 mijë lekë gjobë, të cilat duhet t’i paguajë brenda një afati 6-mujor. 

 

/ panorama /