Një 26-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Vlorës pasi theu masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe dyshohet se përndiqte një të mitur, duke e nxitur drejt përdorimit të substancave narkotike.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Vlorës kanë vënë në pranga shtetasin H. M., banues në këtë qytet. Ai akuzohet për tre vepra penale: “Nxitja për përdorimin e drogës”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” dhe “Përndjekja”.

Arrestimi i tij u bë pasi u kap jashtë banesës, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, që i kishte caktuar masën e arrestit në shtëpi për përndjekje. Nga hetimet rezulton se i riu kishte përndjekur një 12-vjeçare dhe dyshohet se e kishte nxitur për të konsumuar lëndë narkotike.

Materialet në ngarkim të tij i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.