Përndoqi për rreth 1 muaj, një 32-vjeçare, nëpërmjet një llogarie false në rrjete sociale, vihet në pranga menjëherë pas kallëzimit, 26-vjeçari nga Manza e Durrësit. Policia bën me dije se i arrestuari, rezukton i dënuar më parë po për përndjekje.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kompjuterike të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, menjëherë pasi një 32-vjeçare, e shoqëruar nga një gazetare e emisionit “Piranjat”, kallëzoi se përndiqej në rrjete sociale, kanë organizuar punën për të arrestuar autorin.

Shërbimet e Policisë kapën dhe vunë në pranga shtetasin F. H., 26 vjeç, banues në fshatin Radë Manzë, i dënuar më parë për veprën penale “Përndjekja”, pasi dyshohet se për një periudhë njëmujore, ka përndjekur një shtetase 32 vjeçe, nëpërmjet një llogarie false në rrjetin social Instagram.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Përndjekja” dhe “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”.

Policia falënderon gazëtarët e emisionit “Piranjat”, për denoncimin e rastit, si dhe fton ata, median dhe qytetarët që të kallëzojnë çdo paligjshmëri që hasin. Reagimi ndaj autorëve të tyre do të jetë i menjëhershëm dhe me ashpërsinë e ligjit.