24 prill 2015 – Lirohet nga burgu avokati durrsak, Ilir Malindi, i arrestuar për përndjekje të gazetarit Sokol Balla.
Pas gati dy ditësh në qeli 62-vjeçari u la i lirë me vendim gjykate, pasi të njëjtën masë kërkoi dhe prokuroria. Avokati Malindi akuzohet se prej disa kohësh i dërgonte sms prezantuesit dhe gazetarit Sokol Balla. Mes tyre pati një komunikim nisur nga tema e një emisioni të Ballës, por që ky i fundit iu përgjigj në mënyrë fyese.
Sipas policisë ka pasur mbi 20 sms të ndërsjella mes dy palëve. Ndonëse prej kohësh ishte provokuar ky debat virtual, gazetari Balla e denoncoi avokatin durrsak dy ditë më parë. Në të njëjtën kohë kur plasi dhe skandali me videon erotike ku vetë Balla ishte protagonist.
Pas kërkesës së ndjesës dhe tërheqjes nga emisioni Top Story për një afat të pacaktuar nga Balla, u lehtësua dhe avokati Ilir Malindi, i cili do të hetohet në gjendje të lirë.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”





