Autoriteti Portual i Durrësit do të bëjë një vlerësim mjedisor dhe teknik për përshtatshmërinë që ka toka në Portin e Durrësit tashmë që destinacioni i saj do të ndryshojë.

Ky autoritet ka kërkuar një konsulent që do të zhvillojë këtë vlerësim brenda 45 ditëve, duke mos specifikuar detaje se pse lind nevoja për këtë hap dhe duke lënë të papërmendur projektin 2 miliardë euro për “Durrës Marina & Yachts”.

Por, në argumentimin që bën vetë ky autoritet nënkuptohet që studimi është i nevojshëm si një fazë paraprake para fillimit të projektit, që tashmë ka kaluar disa hallka dhe që parashikohej që në prill të kishte një kontratë të detajuar mbi zhvillimin.

“Sipërfaqja aktuale ku operon Porti i Durrësit pritet të ndryshojë destinacion; nga sipërfaqe industriale në sipërfaqe ndërtimi dhe rekreacioni. Me ndryshimin e kategorisë së tokës nevojitet të shihet përshtatshmëria për destinacionin e ri dhe vlerësohet cilësia mjedisore e dherave/tokave për ndërtime brenda kësaj sipërfaqeje. Aktivitetet në Port, që prej ndërtimit të tij, kanë qenë kryesisht depozitimi dhe procesimi i ngarkim – shkarkimit të mallrave të të gjitha llojeve duke filluar nga mineralet, karburantet, kimikatet bujqësore dhe industriale deri tek produktet ushqimore të thata dhe/ose të freskëta. Pёr një kohë rreth 100 vjeçare mineralet, lëndët e para dhe produktet industrial kanë patur ndikime në tokë dhe nën tokë për shkak të erozioneve, infiltrimeve dhe përzierjeve të shtresave të dheut nga gërrmime dhe mbushje/sheshime” thuhet në dokument.

I njëjti sqaron se pritet që ndotjet nga kripëra të tretëshme dhe të patretshme të jenë prezentë në shtresa të ndryshme të tokës. Ndaj, me ndryshimin e destinacionit të sheshit të operimit kërkohet që cilësia kimike e tokës të vlerësohet duke përcaktuar, pas analizave kimike gjeoteknike, shkallën e ndotjes dhe rrezikun potencial që ato paraqesin për shëndetin human.

Autoriteti Portual i Durrësit sqaron se për këtë qëllim, ndërmerret një studim për të vlerësuar cilësitë mjedisore të tokës deri në thellësinë e themeleve të ndërtesave të parashikuara sidomos në përmbajtje të klorureve, sulfateve, metaleve të rëndë, pesticideve dhe hidrokarbureve.

“Pas vlerësimit kërkohet që në rast tё vlerave mbi normat e lejuara, bazuar në standardet më të mira ndërkombëtare, të përcaktohen rrugët dhe masat me efektive të rehabilitimit të tokës të kontaminuar ne respektim te detyrimeve ligjore ne fushen e mjedisit si dhe përllogaritja e kostove të rehabilitimit të sipërfaqes, duke përfshirë dhe kostot e evadimit të mbetjeve (inerte te kontaminuara) në një destinacion të sigurtë dhe në respektim të legjislacionit mjedisor shqiptar” thuhet në dokument.

Projekti i Durrës Marina & Yachts

Në dhjetor 2020, një marrëveshje bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare dhe Emirateve të Bashkuara kaloi në Kuvend për të marrë miratimin.

Në fokus të saj ishin tre pika: rizhvillimi i Portit të Durrësit, mundësitë e investimeve në industrinë e turizmit, të bujqësisë dhe të logjistikës në Vlorë, Sarandë dhe Ksamil dhe investimet në fushën e turizmit në zonën e Përmetit.

Viti 2021 do të niste me lajmet e bujshme sesi kompania më e madhe që transformoi Dubain, EMAAR, do të zbatonte projektin e Durrësit.

Delegacione të qeverisë në Dubai dhe anasjelltas nuk munguan, duke i dhënë zë projektit që do të zbatohet në Shqipëri, ashtu sikurse nuk munguan edhe daljet e Mohamed Alabbar, i njohur si themeluesi i “Emaar Properties”, e zhvilluesi i Burj Khalifa, Dubai Marina dhe Dubai Mall.

Teksa projekti, për vetë përmasat, vlerën e investimit por edhe akuzave që e kanë shoqëruar mbi kompaninë zbatuese, që nuk është drejtpërdrejt EMAAR, shihet disi me sy konservator, institucionet shqiptare këmbëngulin se ai do të bëhet realitet dhe për këtë po hidhen të gjithë hapat e nevojshëm.

Aktualisht kompania e regjistruar në vendin tonë për projektin ka statusin e investitorit strategjik dhe për llogari të projektit janë vënë në dispozicion 209 pasuri shtetërore. Kompania zotëruese e aksioneve ishte Symphony Real Estate Development që pak kohë më parë i kaloi aksionet tek NORTH EAST REAL ESTATE HOLDINGS LIMITED. / Monitor.al