Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, drejtoi një takim të shtabit të posaçëm, me ekipin drejtues dhe Ambasadorët e Shqipërisë në Lindjen e Mesme, të cilët po ndjekin në mënyrë të pandërprerë zhvillimet në rajon.
Në fokus të diskutimeve ishte gjendja e qytetarëve shqiptarë përballë situatës së sigurisë në atë rajon.
Në një reagim në rrjetin social X, Hoxha theksoi se “siguria dhe mirëqenia e shtetasve shqiptarë mbeten përparësi absolute”.
Përfaqësitë diplomatike, sipas Ministrit të Jashtëm, janë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët shqiptarë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë.
“Strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t’iu përgjigjur përshtatshmërisht çdo situate”, theksoi Hoxha.
Postimi i plotë
“Në ditën e parë të punës, dosja e parë në tavolinën time: Përditësimi me situatën e sigurisë në vendet e Lindjes së Mesme, si pasojë e përshkallëzimit ushtarak në rajon, dhe në veçanti, analizimi i detajuar i problematikave dhe nevojave të qytetarëve shqiptarë, rezidentë apo me qëndrim të përkohshëm në këto vende.
Shtabi i posaçëm i ngritur në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe ekipi drejtues i institucionit, në koordinim të ngushtë me përfaqësitë tona diplomatike në rajon, të cilat i falënderoj për angazhimin dhe përkushtimin profesional, po ndjek në mënyrë të pandërprerë dhe me vëmendje maksimale çdo zhvillim, duke qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët tanë dhe pranë kujtdo që ka nevojë për informacion, këshillim dhe asistencë.
Strukturat e Shërbimit të Jashtëm, në bashkëpunim me institucionet e tjera, janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë të nevojshme në varësi të zhvillimeve në vendet e prekura dhe për t’iu përgjigjur përshtatshmërisht çdo situate.
Siguria dhe mirëqenia e shtetasve tanë mbeten përparësi absolute”, shkruan Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme.





