Bashkimi Evropian njoftoi sot vendosjen e sanksioneve ndaj shtatë individëve dhe një grupi të lidhur me Moskën, me akuzën se kanë tentuar të destabilizojnë Moldavinë përpara zgjedhjeve parlamentare të shtatorit.
Vendimi u mor në kuadër të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së, dhe përfshin ngrirje të pasurive dhe ndalime udhëtimi për personat dhe entitetet e përfshira, sipas një njoftimi zyrtar.
Në fokus të masave ndëshkuese janë shtatë persona të lidhur me oligarkun filo-rus në arrati Ilan Shor, i cili ndodhet gjithashtu nën sanksione të BE-së që nga prilli i vitit 2023.
Po ashtu, u sanksionua edhe kompania A7, e cila ka lidhje me Moskën dhe dyshohet se ka marrë pjesë në përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në Moldavi si dhe në referendumin e vitit 2014 për anëtarësimin e vendit në BE.
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, deklaroi se “Moldavia po përgatitet për zgjedhje me një rëndësi shumë të madhe, me votimet parlamentare që do të mbahen këtë vjeshtë”, duke shtuar se vendin e pret një sulm të mundshëm nga “lufta hibride” e Moskës.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian është i vendosur të mbrojë procesin demokratik në Moldavi nga çdo ndërhyrje e jashtme.
Me këtë paketë të re masash, numri i përgjithshëm i të sanksionuarve nga BE lidhur me situatën në Moldavi arrin në 23 individë dhe pesë entitete.
Moldavia, ish-republikë sovjetike, ka ndërmarrë një kurs të qartë pro-evropian që nga zgjedhja e Maia Sandu në presidencë në vitin 2020.
Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, Moldavia theu lidhjet me Moskën dhe nisi zyrtarisht përpjekjet për anëtarësim në Bashkimin Evropian.





