Tjetër aksident ka ndodhur në autostradën Lushnjë-Fier në afërsi të Savrës.

Dy mjete tip fuoristradë në tentativë parakalimi janë fërkuar me njëra-tjetrën. Si rezultat i kësaj përplasjeje në manovër parakalimi, fuoristrada me targa AA 765 TL ka përfunduar në kanalin në anë të autostradës, rreth tre metra i thellë dhe fatmirësisht nuk ka pasur prezencë uji.

Në këtë mjet udhëtonte shtetasi F.M. me tre fëmijët e tij të mitur nga 5 deri 8 vjeç që fatmirësisht kanë shpëtuar për mrekulli dhe vetëm drejtuesi i mjetit ka marrë lëndime të lehta në kokë.

Në mjetin tjetër me targa AB 554 HB udhëtonte një 30-vjeçar me bashkëshorten, nënën dhe motrën e vet. Asnjë nga këta nuk është lënduar pasi i ka ruajtur barriera anësore metalike dhe nuk kanë dalë nga rruga.

Policia në vendngjarje po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.