VLORE – Shtatë persona u lënduan si pasojë e një aksidenti rrugor pasditen e sotme në Vlorë. Ngjarja ndodhi në lagjen “28 Nëntori”, ku si pasojë e përplasjes së dy furgonave mbeten të plagosur 5 pasagjerë dhe dy drejtuesit e mjeteve. 

Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes dhe bëri të ditur se mjetet e aksidentuara janë një furgon pasagjerësh me targa VL 9192 C dhe një furgon mallrash me targa AA 593 CV. Blutë e Vlorës kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit. 

Ndërkohë mësohet se të lënduarit janë transportuar në spitalin rajonal, prej ku mësohet se janë të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Sipas mjekëve, dy shoferët e furgonave dhe njëri prej pasagjerëve janë në gjendje më të vështirë, ndërsa të tjerët do të largohen nga spitali sapo të marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.