Kore e jugut, 2 maj 2014 – Dhjetëra persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa dy trena u përplasën në kryeqytetin koreano jugor, Seul.

Shërbimet e emergjencës flasin për 78 të plagosur, ndërkohë që disa media raportojnë se numri është më i lartë, rreth 170 të lënduar.

Mësohet se njëri nga trenat ka goditur tjetrin, ndërsa ky i fundit kishte ndaluar mes dy stacioneve për shkak të problemeve mekanike, raporton agjencia e lajmeve Yonhap.

Aksidenti hekurudhor vjen në një kohë kur vendi aziatik ende nuk e ka kaluar shokun psikologjik, për shkak të mbytjes tragjike të tragetit me 470 persona në bord, pjesa më e madhe e të cilëve humbën jetën.

Mbytja e tragetit, çoi në dorëheqjen e kryeministrit të vendit, ndërkohë që presidentja Park Geun-hye kërkoi ndjesë për vonesat në operacionet e shpëtimit.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/