Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Itali, që i ka marrë jetën një 38-vjeçari shqiptar.
Ngjarja është shënuar në Anguillara të Padovas, ku shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet ende i ditur, po drejtonte mjetin “Seat Arosa” kur është përplasur me një kamion. Përplasja kokë më kokë mes makinës dhe kamionit ishte tepër e fortë, dhe sipas hetimeve paraprake rezulton se viktima ka ndërruar jetë menjëherë.
Është dashur ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë trupin e pajetë të shqiptarit, pasi makina ishte shkatërruar nga përplasja e fuqishme.
Policia italiane ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit të rëndë, ndërsa është ndaluar shoferi i kamionit i cili nuk është lënduar.