Të tjera detaje bëhen publike nga policia e Tiranës për 39-vjeçarin Ajas Sulejmani, i cili këtë të diel përplasi një çift bashkëshortësh dhe fëmijën e tyre 3 muajsh. Kështu, autori i dyshuar i këtij aksidenti të rëndë ishte nën efektin e lëndëve narkotike.

“Në lidhje me aksidentin e ndodhur në Rrugën e Kavajës, ku një automjet me targa të huaja aksidentoi një çift dhe fëmijën e tyre të vogël, ju informojmë se pas kryerjes së testit të drogës, drejtuesi i mjetit ka rezultuar se drejtonte mjetin nën efektin e lëndëve narkotike.”, tha policia ndërsa po ashtu shpërndau edhe momentin e kryerjes së këtij testi.

Çifti i bashkëshortëve bashkë me karrocën e fëmijës së tyre të vogël po kalonin tek vizat e bardha, kur u përplasën nga makina që drejtohej nga Ajas Sulejmani. 39-vjeçari ishte me shpejtësi të madhe, në shkelje flagrante të rregullave të qarkullimit rrugor.

Aksidenti i rëndë ndodhi gjatë mesditës në Rrugën e Kavajës. Çifti i bashkëshortëve mbetën të plagosur rëndë dhe ndodhen në spital. Menjëherë pas ngjarjes Sulejmani u largua nga vendi i ngjarjes, për t’u arrestuar më pas në një spital privat.

Policia tha se Sulejmani ishte ndëshkuar nga policia rrugore 8 herë, ndërsa vetëm 3 javë më parë u shoqërua dhe u procedua për shkeljen e dispozitave të Kodit Rrugor.

Shoferi i makinës, Ajas Sulejmani rezulton se në vitin 2014 ka qenë shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane për akuzën e trafikut të narkotikëve.