Policia e Lezhës ka reaguar me një njoftim për mediat mëngjesin e sotëm duke dhënë detaje të reja për dinamikën e aksidentit ku u përfshi të premten mbrëma makina e eskortës së ish-kryeministrit Sali Berisha.

Bëhet me dije se është proceduar penalisht 24-vjeçarin nga Kosova.

“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë proceduan penalisht shtetasin A.M., 24 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë.

Ky shtetas, në aksin rrugor Milot-Thumanë, në Fushë Mamurras, duke drejtuar automjetin tip “Benz ” ka goditur mjetin tjetër tip “Benz ” me drejtues shtetasin S.L., 28 vjeç, banues në Tiranë dhe ky i fundit ka goditur mjetin shoqërues të  deputetit S.B. Të 3 automjetet qarkullonin në një sens lëvizjeje, në korsinë e shpejtësisë.

Si pasojë e goditjes kanë marrë dëmtime të lehta drejtuesi i mjetit shtetasi A.M., dhe pasagjerët në këtë mjet E.S.,dhe A.M., banues në Kosovë, të cilët pasi kanë marrë mjekim në spital, janë larguar për në banesë”-njofton policia.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.