Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e sigurisë “arrest me burg” për 41-vjeçarin Myslim Estrefi, i cili akuzohet se përplasi me makinë për vdekje kushëririn e tij.

Prokurorja Anila Bebeçi ka kërkuar arrest me burg për Myslimin gjë që është pranuar nga gjyqtarja e seancës Besjana Garxenaj.

Mësohet se ai nuk e ka pranuar akuzën e aksidentit të qëllimshëm duke pretenduar një aksident për shkak të konsumit të alkoolit.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e shtunë në fshatin Romanat rreth orës 15:00, ku për pasojë mbeti i vdekur Shaqir Estrefi, 57 vjeç.

Fillimisht 41-vjeçari Estrefi, e raportoi ngjarjen si aksidentale, por pas hetimeve të policisë rezultoi se bëhej fjalë për një vrasje me dashje për hakmarrje. Kjo, pasi 14 vite më parë, babai i viktimës, Qamil Estrefi, vrau babanë e autorit, Zydi Estrefin.

Para sulmit me makinë, thuhet në dosjen e prokurorisë, Myslim Estrefi është ulur në një lokal dhe ka konsumuar alkool. Ai është dehuar dhe gjatë kësaj kohe ka mbajtur në vëzhgim lëvizjet e Shaqir Estrefit.

Sapo ky i fundit është drejtuar në rrugë për të shkuar në banesë, prapa tij ka shkuar me makinën tip “Fiat Uno” Myslim Estrefi, i cili e ka goditur me shpejtësi duke e lënë të vdekur në vend Shaqirin.