Policia e Tiranës ka nisur një aksion për gjetjen e makinës tip “Audi”, e cila përplasi për vdekje para 6 ditësh Gjystina Shpanin.
Pranë Tregut Elektrik në Tiranë, kjo makinë goditi 48-vjeçaren, nënën e dy fëmijëve. Policia ka nisur kontrollet për të gjetur makinën tip “Audi” të zezë, pa targa, e cila pasi goditi Gjystina Shpanin, u largua me shpejtësi në drejtim të Saukut.
Policia po kryen kontrolle në servise dhe në disa zona të tjera, ku dyshohet se mund të jetë fshehur makina. Kjo makinë goditi nënën e dy fëmijëve dhe nuk ndaloi. Ngjarja është filmuar nga disa kamera sigurie, por ende nuk është identifikuar shoferi.
Por gjatë kontrolleve në servise, Policia ka zbuluar makina të cilat rezultojnë të vjedhura në Bashkimin Europian. Në Farkë, në një servis, policia ka gjetur një makinë “Audi A6”, e cila rezulton e vjedhur në Gjermani dhe ka arrestuar pronarin e saj 42-vjeccarin A.K. Burime nga Policia bëjnë me dije se aksioni do të vijojë për të gjetur makinën që goditi 48-vjeçaren. /Shqiptarja.com/





