Një 44-vjeçar shqiptar është dorëzuar sot në policinë italiane pasi akuzohet se ka shkaktuar një aksident të rëndë rrugor, ku fatkeqësisht humbi jetën një 73-vjeçare, ndërsa vajza e saj 45-vjeçare mbeti e plagosur.

Ngjarja në fjalë ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Laçhiarella të Milanos. ‘Ansa’ shkruan se fill pas aksidentit shqiptari ishte larguar nga vendi i ngjarjes. Ky i fundit akuzohet se është person me precedentë penal, pasi akuzohet për vjedhje makinash.

Ai u paraqit rreth orësh 12:00 në komisariatin e Assago-s, ndërsa akuzohet për vrasje në rrugë, largim nga vendi i ngjarjes si dhe vjedhje, pasi mjeti me të cilin udhëtonte, një ‘BMW 325’, rezultonte e vjedhur më 28 mars të vitit të kaluar në Trenzano (Brescia).

Po ashtu bëhet e ditur se hetuesit kishin mbledhur disa prova që ‘fundosin’ shqiptarin, që nga gjurmët e gjakut e deri te fijet e flokut.