Një ditë pas festës së 31-vjetorit të krijimit të degës lokale të PD-së në Durrës, ku i ftuar ishte edhe lideri historik Sali Berisha, kryetari i emëruar Luan Hoti thotë për “DurrësLajm” se këtë informacion e ka marrë nga portalet. Sipas Hotit, organizimi është bërë nga Komiteti i Rithemelimit të PD-së dhe jo nga dega lokale.
Situata e krijuar në PD për shkak të përplasjes disa mujore Basha – Berisha reflektohet edhe tek anëtarësia, e cila duket e ndarë në dy kampe. Hera e fundit kur zyrtarisht kryetari i partisë Lulzim Basha ka qenë në Durrës ishte data 26 nëntor, që përkonte me 2-vjetorin e tërmetit. Në atë kohë u komentua gjerësisht se Basha ishte braktisur nga anëtarësia dhe shoqërohej nga vetëm pak persona, por sipas Hotit kjo ndodhi për një arsye të thjeshtë.
“Ishte një takim spontan, nuk ishte i organizuar nga anëtarësia, pasi kishim takim me një familje, që nuk ka përfituar nga dëmtimet e tërmetit. Nuk ishte takim i organizuar. Pas takimit shkuam pimë një kafe me kryetarin, me personat që ndodheshin në degë”,- tha Hoti.
Viti 2022 nis me zgjedhje të brendshme në PD, ku dy organizatat partnere Lidhja Demokratike e Gruas dhe Forumi Rinor do të zgjedhin kryetarët e rinj. Hoti bën të ditur se pavarësisht përplasjes së brendshme dega po funksionon dhe nuk do të ketë përjashtime të figurave kryesore dhe anëtarësisë që deri tani janë pozicionuar krah Berishës.
“Unë mendoj se dega po funksionon. Ne tani do të nisim garat për LDG dhe FRPD dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me gjithë anëtarët e partisë. Nuk do të ketë përjashtime nga PD. Ne do të vazhdojmë të punojmë për bashkimin dhe për të rrëzuar kundërshtarin tonë kryesor Edi Rama. Ne nuk kemi luftë më njeri-tjetrin”,- tha Hoti.
Prej dy vitesh, bashkia e Durrësit drejtohet nga kryebashkiakë të emëruar dhe jo të zgjedhur. Hotin nuk e tremb fakti i mbajtjes së zgjedhjeve lokale brenda një kohe të shkurtër dhe sipas tij PS nuk ka shans të fitojë bashkinë, megjithëse qeveris prej 21 vitesh në qytetin bregdetar.
“Unë ju garantoj që sikur nesër të jenë zgjedhjet në bashki, PD është gati. Me këtë numër votash që PD ka në Durrës, megjithë masakrën zgjedhore, duke filluar nga patronazhistët, me legalizimet, me paratë, me të gjitha mjetet e mundshme të korrupsionit për blerjen e votave, me këtë rezultat votash që ka marrë Partia Demokratike, PS nuk ka shans të fitojë në bashkinë e Durrësit. Detyrë kryesore e degës është të marrim masa që këto vjedhje dhe blerje votash të mos ndodhin më”,- deklaroi Hoti për “DurrësLajm”.
Nisja e vitit 2022 pritet të sjellë zhvillime të reja brenda selisë blu. Nga një anë zgjedhjet e brendshme për LDG dhe FRPD të thirrura nga Lulzim Basha dhe në anën tjetër ultimatumi i Komitetit të Rithemelimit për lirimin e selisë deri më datën 8 janar, duket se do të vazhdojnë sërish të trazojnë ujërat në partinë më të madhe opozitare.
M.B.