“Lufta” në rrjete sociale duket se ka nisur, megjithëse ende nuk janë zyrtarizuar kandidaturat që do të përplasen në Durrës për postin e kryetarit të bashkisë, në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.

I përfolur se do të garojë si kandidat i pavarur, i mbështetur nga Komisioni i Rithemelimit dhe grupi i Sali Berishës, urbanisti Ardian Muka ka shigjetuar drejtpërdrejt atë që do të jetë rivalja e tij nga PS.

Përmes një postimi në rrjete sociale, Muka e ka konsideruar “mashtrim pas mashtrimi” deklaratën e Emiriana Sakos për përfundimin e investimit në rrugën “Azem Hajdari”, të cilën e njoftoi një ditë më parë.

Sipas Mukës, punimet në këtë rrugë nuk kanë nisur ende, ndërsa ato janë kundërshtuar nga banorët për shkak të cilësisë së dobët.

“Deklaron qe rruga Azem Hajdari ka perfunduar dhe eshte investim me fondet e bashkise,nderkohe qe kjo rruge nuk ka filluar akoma punimet. Jane kryer punime vetem me shtrimin e kanalizimeve te ujesjellesit, punime te kontestuara nga banoret per cilesine e keqe e jashte standartit, te cilat jane denoncuar dhe ne prokurori.”– shkruan Muka.

Më pas, urbanisti i njohur akuzon bashkinë se ky është standarti që përdoret për investimet publike.

“Ky eshte standarti i bashkise Durresit: mashtrim, vjedhje, korrupsion, punime sa per te kaluar rradhen e pa cilesi e standart”,– shkruan Muka, ndërsa e mbyll postimin e tij me shprehjen:

“Koha per ndryshim ka ardhur!!!”

Postimi i plotë:

Mashtrim pas mashtrimi nga ana e kryetares emeruar te bashkise Durresit!!!

Deklaron qe rruga Azem Hajdari ka perfunduar dhe eshte investim me fondet e bashkise,nderkohe qe kjo rruge nuk ka filluar akoma punimet .Jane kryer punime vetem me shtrimin e kanalizimeve te ujesjellesit,punime te kontestuara nga banoret per cilesine e keqe e jashte standartit ,te cilat jane denoncuar dhe ne prokurori .

Ky eshte standarti i bashkise Durresit :mashtrim,vjedhje,korrupsion,punime sa per te kaluar rradhen e pa cilesi e standart

Koha per ndryshim ka ardhur!!