Treni i pasagjerëve nga Tirana në Shkodër u përplas rreth orës 13: 50 të kësaj të shtune me një kamion. Në lidhje me ngjarjen ka reaguar dhe policia e shtetit, e cila bën me dije se si pasojë e aksidentit nuk ka pasur persona të dëmtuar, por vetëm dëme materiale.

Sipas uniformave blu, shkak i aksidentit është bërë mosdhënia e përparësisë në lëvizje nga drejtuesi i kamionit, ndaj të cilit u morën masa administrative bazuar në Kodin Rrugor.

Gjithashtu bëhet me dije se të dy drejtuesit e mjetit kanë dal negativ në testin e alkoolit.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 13:50, në Fushë Mamurras, treni i pasagjerëve me linjë lëvizje nga Tirana në Shkoder , i drejtuar nga shtetasi H.T. 67 vjeç , është përplasur me një kamion të drejtuar nga shtetasi D.M. 47 vjeç.

Si pasojë, nuk ka patur asnjë person të lënduar por vetëm dëme materiale.

Të dy drejtuesit e mjeteve, pasi janë testuar me aparat alkool testues, nuk kanë rezultuar nën efektin e alkoolit.

Shërbimet e policisë rrugore, kanë arritur të bëjnë spostimin e kamionit i cili kishte mbetur i bllokuar në rrugë, duke liruar rrugën dhe lejuar trenin me pasagjerë, që të vazhdojë lëvizjen drejt destinacionit të tij.

Në përfundim të veprimeve, ka rezultuar se, shkaku i përplasjes me dëme materiale, është mosdhënia e përparësisë në lëvizje nga drejtuesi i kamionit, ndaj të cilit u morën masa administrative bazuar në Kodin Rrugor.

Kujtojmë se treni i pasagjerëve Vorë-Shkodër, u vendos ditën e sotme në punë pas më shumë se dy vitesh mungesë, por duket se rikthimi në shina nuk ka shkuar dhe aq mbarë.