Pas imazheve që kanë qarkulluar në media për gërmimet arkeologjike që po zhvillohen në kuadër të projektit “Veliera” në Durrës, sot ka reaguar Ministria e Kulturës.

Për heshtjen e këtij institucioni, dje bëri nje status në rrjetet sociale edhe deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, e cila i kërkonte ambasadorëve të huaj edhe kryeprokurorit të veprojnë për situatën në Durrës. Deputetja mori shkas nga lëvizja e topave që janë zbuluar në vendin ku do të ndërtohet projekti 6 milionë dollarësh dhe ka shpërthyer duke thënë se Durrësi po shkatërrohet njësoj si Almira.

Ndërsa MK sot i përgjigjet kështu:

“Gërmimet arkeologjike, dokumentimi dhe transporti i objekteve arkeologjike në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit, po realizohen në zbatim të vendimit Nr. 31 datë 01.03.2017 të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë, specifikisht pika II dhe V e tij, ku përcaktohet kryerja e gërmimeve arkeologjike nga Instituti i Arkeologjisë, nën mbikëqyrjen e Agjencisë së Shërbimit Arkeologjik dhe Drejtorisë Rajonale të Kulturës Durrës, për gjurmimin e linjës periferike perëndimore të bastionit, të zbuluar nga sondazhi arkeologjik, përgjatë bulevardit “Epidamn”, deri në pikëtakimin me murin bizantin, me qëllim evidentimin e planimetrisë ndërtimore të tij.

Në po këtë vendim të para tri ditëve kërkohet qartësisht se të gjitha gjetjet arkeologjike të cilat do të dalin, të dokumentohen dhe më pas të depozitohen pranë Muzeut Arkeologjik, Durrës.

Të gjitha proceset arkeologjike po kryhen nga Instituti i Arkeologjisë i cili njëkohësisht është edhe institucioni më i lartë në vend i specializuar për kërkime shkencore në fushën e arkeologjise.

Gjithashtu e gjejmë me vend të sqarojmë se:

– Topi që shihet në fotot e bëra publike nuk është strukturë arkeologjike apo rrënojë.

– Topi dhe gjylet e tjera janë objekte të lëvizshme të kulturës materiale dhe si të tilla nuk mund të qëndrojnë në vendin ku zbulohen por duhet të lëvizen drejt muzeut.

– Pesha e madhe e Topit, e bënte të detyrueshme përdorimin e një krahu eskavatori, për ta ngritur.

– Topi u lidh me një zinxhir me veshje plastike për të mos e dëmtuar dhe më pas u transferua drejt muzeut arkeologjik për t’u trajtuar më tej dhe më pas të bëhet i ekspozueshëm, në zbatim të vendimit të mësipërm të Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë.

Bashkëngjitur fotot e dy Topave dhe Gjyleve që janë gjetur gjatë gërmimit arkeologjik të muajit shkurt, tashmë të vendosura në Muzeun Arkeologjik në Durrës për trajtim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.