Ka shkuar në 15 numri i personave që humbën jetën pas përplasjes së një anijeje të rojes bregdetare greke me një gomone që transportonte emigrantë të paligjshëm pranë ishullit lindor të Detit Egje, Çios, të martën vonë, njoftuan autoritetet. Dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur.
Siç raporton media greke Kathimerini, ngjarja ndodhi ndërsa gomonia, e dyshuar se operohej nga kontrabandistë emigrantësh, po përpiqej të afrohej në zonën Myrsinidi në bregun lindor të ishullit për të zbarkuar pasagjerët.
Anija transportonte rreth 30 persona dhe ishte e pajisur me motor të fuqishëm kur u vu re nga një mjet patrullimi i rojes bregdetare që operonte nga ishujt e afërt Oinousses.
Pas një ndjekjeje, të dyja mjetet u përplasën, sipas zyrtarëve të rojes bregdetare. Autoritetet njoftuan se viktimat përfshinin 11 burra dhe katër gra, ndërsa paralajmëruan se numri i të vdekurve mund të rritet.
U nis menjëherë një operacion i madh kërkimi dhe shpëtimi, që përfshinte disa anije të rojes bregdetare dhe një gomone private me zhytës civilë. Ambulancat transportuan të mbijetuarit e plagosur në Spitalin e Përgjithshëm Skylitseio të Çios. Deri në mesnatë, 24 emigrantë, përfshirë dy gra shtatzëna, si dhe dy oficerë të rojes bregdetare me lëndime të lehta, u dërguan në spital. Më vonë u konfirmua se fetuset e dy grave shtatzëna nuk mbijetuan.
Tre emigrantë të tjerë iu nënshtruan operacioneve për dëmtime të rënda në organe jetësore.
Zyrtarët thanë se ky incident është ndër më seriozët në vitet e fundit, edhe pse ndjekje të shpejta me gomone emigrantësh kanë ndodhur më parë pranë ishujve grekë si Kos, Symi, Rodos, Samos dhe Agathonisi.
Në muajt e fundit, mbërritjet e emigrantëve në ishujt e Detit Egje kanë rënë ndjeshëm. Në dhjetor, rreth 220 persona mbërritën në Çios, ndërsa në fillim të shkurtit u regjistruan 33 mbërritje, sipas të dhënave të Ministrisë së Migracionit. Në përgjithësi, flukset e emigrantëve drejt ishujve të Egjeut ranë në vitin 2025, me rreth 40% të mbërritjeve të regjistruara në Kretë.
Të martën vonë, Ministri i Migracionit, Thanos Plevris, njoftoi gjatë një debati parlamentar se qeveria do të krijojë dy qendra pritjeje për emigrantët në Kretë, të financuara nga Bashkimi Evropian, dhe pritet të jenë funksionale deri për festën e Pashkëve. Ligji përfshin gjithashtu masa kompensuese për komunitetet lokale, të ngjashme me ato që tashmë zbatohen në ishujt e Egjeut që presin qendra pritjeje afatgjata.





