Këshilltarët e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës kanë denoncuar sot abuzimet e kryetarit të Bashkisë, Veliaj, dhe kanë dënuar sulmet e ulëta dhe fyerjet e tij ndaj Presidentit të Republikës. Ata e mbajtën qëndrimin e tyre pranë Kullës së Shatit, ku aktualisht, sipas tyre, po hedh shtat një tjetër abuzim i Veliajt me punimet skandaloze që ai po bën mbi simbolin e qytetit.
“Jemi sërish me një nga paradokset më të mëdha të qeverisjes vendore. Vijojmë të jemi sërish në shkelje të pastër të zotimit që Veliaj ka marrë parpara qytetarëve, për të qënë administrator i këtij qyteti por që realisht në këto 8 muaj është shndërruar në masakrues i qytetit si nga pikëpamja urbane ashtu edhe nga ajo ekonomiko-sociale. Masat shtrënguese që ne kemi paralajmëruar me kohë tashmë kanë tronditur të gjithë biznesin në Tiranë i cili në vetvetë është 50% e biznesit të gjithë vendit. Nga ana tjetër, kemi vandalizimin e paparë dhe krimin e rëndë mjedisor që është kryer jo vetëm tek liqeni artificial”, u shpreh Leonard Olli.
Kreu i këshilltarëve demokratë dënoi sulmin e paprinciptë të Veliajt ndaj Presidentit të Republikës. Olli tha se ai po e kthen bashkinë në vend të pazareve dhe trampolinë për interesat e tij politike.





