Studentë dhe pedagogë të Universitetit Bujqësor të Tiranës (UBT) prej dy ditësh protestojnë kundër ndërtimit të një shkolle 9 vjeçare në zonën ku ndodhet një pjesë e fidanishteve e vreshtave që shërbejnë për kryerjen e lëndëve laboratorike në Universitet.

Në lidhje me çështjen rektori i UBT Bahri Musabelliu u shpreh se autoritetet e Bashkisë së Tiranës nuk janë konsultuar asfare me përfaqësuesit e universitetit mbi ndërtimin e një shkolle.

“Ajo që më shqetëson në këtë histori është se ka vende të tjera se ku mund të ndërtohet shkolla, pasi këtu është një kampus universitar. Nuk mund të ketë vend edhe për shkollën dhe për Fakultetin, për këtë i kemi kërkuar Bashkisë së Tiranës që kjo zonë të përfshihej në Pyllin Orbital.

Ne kemi kërkuar që ndërtimi i shkollës të ndërtohet në një zonë tjetër, pasi janë të njëjtët pronarë që kanë ngastrat e tokës. Ndërtimi i kësaj shkolle do të pengonte masterplanin. Unë nuk dija asgjë për ndërtimin  e kësaj shkolle , edhe pse jam titular i këtij institucioni, unë nuk e kuptoj si mund të bëhej kjo pa na pyetur ne që jemi të zotët e punës”, u shpreh Musabelliu.

Ndërkohë kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka reaguar në lidhje me rastin duke hedhur sulme në drejtim të demokratit Jamarbër Malltezi, i cili po ashtu ka protestuar kundër ndërtimit të shkollës. Jamarbër Malltezi, i cili është pedagog në UBT ka thënë se nuk ka asnjë informacion për ndërtimin që do të kryhet.

“Fillimisht ajo është tokë ende në pronësi të universitetit bujqësor dhe UBT ka një masterplan, dhe ajo toke është e projektuar për fidanishte. Nuk ka asnjë tabelë që informon për godinën që do të ndërtohet, se kush po e ndërton, nuk është respektuar asnjë procedurë”, ka thënë ai.

 “Ty or çun të dhëntë Zoti jetë sa më të gjatë që ta shkatërrosh gjer në fund partinë e vjehrrit tënd! Që do e degjeneroje PD-në të protestonte shkollën 9-vjeçare të Kodër Kamzës në tokë private e jo zaptimet e basteve në UBT, nuk e kishte ëndërruar asnjë socialist! Jepi gaz!”, shkruan Veliaj pas deklaratave të Malltezit.