Pas 4 orë konfrontimesh me uniformat blu ka përfunduar protesta e naftëtarëve të Ballshit, por në pritje për t’u rikthyer sërish nesër së bashku me familjarët e tyre përpara rafinerisë.

“Besoj se protesta e sotme i dha mesazh të qartë atyre që e kanë marrë përsipër të jenë në një rrugë të gabuar. Po u jepet një mundësi sot të reflektojnë përmes ministrit dhe ministres. U bëj thirrje kolegëve ditën e nesërme në orën 8 të gjithë naftëtarët me fëmijët përdore, qytetarët e Ballshit, Patosit dhe Fierit, do të bojkotojmë dhe shkollën. Nuk ka jetë pa rafineri. Nëse do të përdorin gaz lotsjellës kundër fëmijëvë tanë, le ta mbajnë përgjegjësinë vet. Të gjithë qytetarët të jenë para portës së rafinerisë”, bëri thirrje kreu i Sindikatës, Sokol Dautaj.

Tensionet dhe përplasjet nuk munguan gjatë protestës sot, teksa Policia përdori spray për shpërndarjen e naftëtarëve të mbledhur aty prej orëve të para të mëngjesit.

Kjo i revoltoi naftëtarët, të cilën hodhën shishe plastike në drejtim të tyre dhe nga ana tjetër nuk munguan konfrontimet fizike.

Një prej naftëtarëve nuk është ndjerë mirë dhe është dërguar me makinë private në spital.