Kina dhe Ukraina janë përfshirë në një konflikt të heshtur për shkak të pretendimit të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, për praninë e ushtarëve kinezë në territorin ukrainas. Sipas Zelenskyt, dy ushtarë kinezë janë arrestuar në Ukrainë, pasi dyshohet se ata luftonin përkrah ushtrisë ruse.
Zelensky kërkoi një shpjegim nga Pekini për këtë incident dhe i bëri thirrje Perëndimit të reagojë. Ai publikoi një video që dyshohet se tregon një nga të burgosurit kinezë dhe tha se ka informacione se shumë më shumë qytetarë kinezë po luftojnë në radhët e ushtrisë ruse. “Janë tre dokumente, edhe pasaportat e tyre, apo edhe kartat e kreditit. Ata janë shtetas nga Kina,” tha Zelensky.
Për këtë çështje, Kina hodhi poshtë pretendimet e Ukrainës, duke thënë se nuk ka asnjë bazë për këto akuza. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Lin Jian, nënvizoi se Pekini ka kërkuar gjithmonë nga qytetarët e tij të qëndrojnë larg zonave të konfliktit dhe të mos marrin pjesë në veprimet ushtarake nga asnjë palë. Kina shpalli pozitat e saj neutrale dhe ka propozuar plane për negociatat e paqes, por nuk i ka dënuar ende veprimet e Rusisë.
Ndërkohë, Rusia ka ngritur një alarm për mundësinë e zbarkimit të trupave franko-britanike në portin e Odesës. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, deklaroi se çdo prani e trupave të NATO-s në Ukrainë, pavarësisht flamurit, shenjave dhe mandatit të deklaruar, do të konsiderohej nga Rusia si një kërcënim për sigurinë e saj dhe do të sillte një përplasje të drejtpërdrejtë me të gjithë Aleancën.
Zakharova gjithashtu kujtoi se më 3-4 prill në Kiev u zhvillua një takim i shefave të shtabit të Ukrainës, Britanisë së Madhe dhe Francës, dhe tha se fakti që asnjë vendim nuk u mor në atë kohë kishte acaruar presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky.