Kërkesa e Presidentes Vjosa Osmani për pezullimin e tarifave të importit për produktet nga SHBA ka shkaktuar një përplasje të hapur mes Presidencës dhe Qeverisë së Kosovës. Debati u zhvillua kryesisht në rrjetet sociale, ku ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, kritikoi mënyrën se si kjo kërkesë u komunikua publikisht, duke theksuar se çështjet e tilla duhet të trajtohen larg mediave.
Polemikat mes institucioneve kanë nxitur reagime, me analistin Artan Muhaxhiri që e cilëson këtë situatë si një përpjekje pozicionimi për zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Sipas tij, fakti që përplasjet po ndodhin në rrjetet sociale tregon mungesë lidershipi nga të dyja palët.
Përveç Presidentes Osmani, edhe partitë opozitare, Oda Ekonomike Amerikane dhe Oda Ekonomike e Kosovës i kanë kërkuar Qeverisë që të heqë tarifat ndaj SHBA-së. Kjo kërkesë vjen pas vendimit të Presidentit amerikan, Donald Trump, për të vendosur një tarifë 10% mbi produktet nga Kosova.